| Chapter 16 |
1 | Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:
|
2 | "Gjëra të tilla kam dëgjuar shumë! Të gjithë ju jeni ngushëllues të mërzitshëm!
|
3 | Kur do të marrin fund fjalimet tuaja boshe? Ose çfarë të shtyn të përgjigjesh?
|
4 | Edhe unë mund të flisja si ju, po të ishit ju në vendin tim; do të mund të radhitja fjalë kundër jush duke tundur kokën time kundër jush.
|
5 | Por do t`ju jepja kurajo me gojën time dhe ngushëllimi i buzëve të mia do ta lehtësonte dhembjen tuaj.
|
6 | Në rast se flas, dhembja ime nuk pakësohet, në qoftë se nuk flas më, çfarë lehtësimi kam?
|
7 | Por tani ai më ka çuar në pikën e fundit të forcave të mia. Ti ke shkatërruar tërë familjen time;
|
8 | më ke mbuluar me rrudha dhe kjo dëshmon kundër meje, dobësia ime ngrihet dhe dëshmon kundër meje.
|
9 | Zemërimi i tij më grin dhe më përndjek, kërcëllin dhëmbët kundër meje; Armiku im mpreh shikimin mbi mua.
|
10 | Duke hapur gojën e tyre kundër meje, ata më godasin me përçmim mbi faqet, mblidhen tok kundër meje.
|
11 | Perëndia më ka dhënë në duart e të pabesëve, më ka dorëzuar në duart e njerëzve të këqij.
|
12 | Jetoja i qetë, por ai më shkatërroi, më kapi për qafe dhe më bëri copë-copë, dhe më shndërroi në objekt goditjeje.
|
13 | Harkëtarët e tij më rrethojnë në çdo anë, më shpon pa mëshirë veshkat, derdh për tokë vrerin tim.
|
14 | Ai më sulmon vazhdimisht me forcë, më sulet si një luftëtar.
|
15 | kam qepur një grathore mbi lëkurën time, e kam ulur ballin tim në pluhur,
|
16 | Fytyra ime është e kuqe nga të qarat dhe mbi qepallat e mia po zë vend hija e vdekjes,
|
17 | megjithëse nuk ka asnjë dhunë në duart e mia, dhe lutja ime është e pastër.
|
18 | O tokë, mos e mbulo gjakun tim, dhe britma ime mos gjeftë asnjë vend qetësimi.
|
19 | Që tani, ja, dëshmitari im është në qiell, garanti im është lart.
|
20 | Shokët e mi më përqeshin, por sytë e mi derdhin lotë përpara Perëndisë.
|
21 | Le të përkrahë ai arsyetimet e njeriut pranë Perëndisë, ashtu si bën njeriu me fqinjin e tij.
|
22 | Do të kalojnë në të vërtetë edhe pak vjet akoma dhe unë do të shkoj pastaj në një rrugë pa kthim.
|