| Chapter 9 |
1 | Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:
|
2 | "Po, unë e di që është kështu, por si mund të jetë i drejtë njeriu përpara Perëndisë?
|
3 | Në rast se dikush dëshiron të diskutojë me të, nuk mund t`i përgjigjet veçse një herë mbi një mijë.
|
4 | Perëndia është i urtë nga zemra dhe i fuqishëm nga forca, kush, pra, u fortësua kundër tij dhe i shkoi mbarë?
|
5 | Ai vendos malet dhe ato nuk e dijnë që ai i përmbys në zemërimin e tij.
|
6 | Ai e tund dheun nga vendi i tij, dhe kollonat e tij dridhen.
|
7 | Urdhëron diellin, dhe ai nuk lind, dhe vulos yjet.
|
8 | I vetëm shpalos qiejt dhe ecën mbi valët e larta të detit.
|
9 | Ka bërë Arushën dhe Orionin, Plejadat dhe krahinat e jugut.
|
10 | Ai bën gjëra të mëdha dhe që nuk mund të hetohen, po, mrekulli të panumërta.
|
11 | Ja, më kalon afër dhe nuk e shoh, kalon tutje dhe nuk e kuptoj.
|
12 | Ja, ai kap gjahun dhe kush mund t`ia rimarrë? Kush mund t`i thotë: "Çfarë po bën?".
|
13 | Perëndia nuk e tërheq zemërimin e tij; poshtë tij përkulen ndihmësit e Rahabit.
|
14 | Si mund t`i përgjigjem, pra, dhe të zgjedh fjalët e mia për të diskutuar me të?
|
15 | Edhe sikur të kisha të drejtë, nuk do të kisha mundësi t`i përgjigjem, por do t`i kërkoja mëshirë gjyqtarit tim.
|
16 | Në rast se unë e thërres dhe ai më përgjigjet, nuk mund të besoj akoma se e ka dëgjuar zërin tim,
|
17 | ai, që më godet me furtunën, dhe i shumëzon plagët e mia pa shkak.
|
18 | Nuk më lë të marr frymë, përkundrazi më mbush me hidhërime.
|
19 | Edhe në qoftë se bëhet fjalë për forcën, ja, ai është i fuqishëm; por sa për gjykimin, kush do të më caktojë një ditë për t`u paraqitur?
|
20 | Edhe sikur të isha i drejtë, vetë të folurit tim do të më dënonte; edhe sikur të isha i ndershëm, ai do të provonte se jam i çoroditur.
|
21 | Jam i ndershëm, por nuk e çmoj fare veten time dhe e përçmoj jetën time.
|
22 | Éshtë e njëjta gjë, prandaj them: "Ai shkatërron njeriun e ndershëm dhe të keqin".
|
23 | Në qoftë se një fatkeqësi mbjell papritur vdekjen, ai qesh me vuajtjen e të pafajmëve.
|
24 | Toka u është dhënë në dorë të këqijve; ai u vesh sytë gjyqtarëve të saj; po të mos jetë ai, kush mund të ishte, pra?
|
25 | Tani ditët e mia kalojnë më shpejt se një vrapues, ikin pa parë asnjë të mirë.
|
26 | Ikin shpejt si anijet prej xunkthi, si shqiponja që sulet mbi gjahun e vet.
|
27 | Në qoftë se them: "Dua ta harroj vajtimin, ta lë pamjen time të trishtuar dhe të tregohem i gëzuar",
|
28 | më hyn frika për të gjitha dhembjet e mia; e di mirë që ti nuk do të më konsiderosh të pafajshëm.
|
29 | Në qoftë se jam i dënuar tanimë, pse të lodhem më kot?
|
30 | Edhe sikur të lahesha me borë dhe të pastroja duart e mia me sodë,
|
31 | ti do të më hidhje në baltën e një grope, edhe vetë rrobat e mia do të më kishin lemeri.
|
32 | Në të vërtetë ai nuk është një njeri si unë, të cilit mund t`i përgjigjemi dhe të dalim në gjyq bashkë.
|
33 | Nuk ka asnjë arbitër midis nesh, që të vërë dorën mbi ne të dy.
|
34 | Le të largojë nga unë shkopin e tij, tmerri i tij të mos më trembë.
|
35 | Atëherë do të mund të flas pa pasur frikë prej tij, sepse nuk jam kështu me veten time.
|