| Chapter 16 |
1 | Në vitin e shtatëmbëdhjetë të Pekahiahut, birit të Remaliahut, filloi të mbretërojë Ashazi, biri i Jothamit, mbret i Judës.
|
2 | Kur filloi të mbretërojë, Ashazi ishte njëzet vjeç dhe qëndroi në fron gjashtëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. Ai nuk bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, Perëndisë të tij, ashtu si kishte bërë Davidi, ati i tij;
|
3 | por ndoqi rrugën e mbretërve të Izraelit dhe bëri madje të kalojë nëpër zjarr edhe të birin, sipas riteve të neveritshme të kombeve që Zoti kishte dëbuar para bijve të Izraelit;
|
4 | përveç kësaj bënte flijime dhe digjte temjan në vendet e larta, në kodrat dhe poshtë drurëve që gjelbëronin.
|
5 | Atëherë Retsini, mbret i Sirisë, dhe Pekahu, bir i Remaliahut, dolën për të luftuar kundër Jeruzalemit; rrethuan aty Ashazin, por nuk arritën ta mundin.
|
6 | Në atë kohë Retsini, mbret i Sirisë, ripushtoi Elathin dhe përzuri Judenjtë nga Elathi; kështu Sirët hynë në Elath dhe kanë mbetur atje deri ditën e sotme.
|
7 | Ashazi i dërgoi lajmëtarë Tiglath-Pileserit, mbretit të Asirëve, për t`i thënë: "Unë jam shërbëtori dhe biri yt; dil dhe më çliro nga duart e mbretit të Sirisë dhe të mbretit të Izraelit, që janë ngritur kundër meje".
|
8 | Ashazi mori pastaj argjendin dhe arin që ndodhej në shtëpinë e Zotit dhe në thesaret e pallatit mbretëror dhe ia dërgoi si dhuratë mbretit të Asirisë.
|
9 | Atëherë mbreti i Asirisë e dëgjoi; pastaj mbreti i Asirisë doli kundër Damaskut, e pushtoi dhe internoi banorët e tij në Kir, dhe vrau Retsinin.
|
10 | Atëherë mbreti Ashaz shkoi në Damask për të takuar Tiglath-Peleserin, mbretin e Asirisë; pasi pa altarin që ishte në Damask, mbreti Ashaz i dërgoi priftit Uria vizatimin dhe modelin e altarit, me gjitha hollësitë për ndërtimin e tij.
|
11 | Kështu prifti Uria ndërtoi një altar, sipas porosive që mbreti Ashaz i kishte dërguar nga Damasku; prifti Uria e ndërtoi para se mbreti Ashaz të kthehej nga Damasku.
|
12 | Kur u kthye nga Damasku, mbreti pa altarin; pastaj mbreti iu afrua altarit dhe ofroi flijime mbi të.
|
13 | Pastaj dogji mbi të olokaustin e tij dhe ofertën e tij ushqimore, derdhi libacionin e tij dhe spërkati mbi altarin gjakun e flijimeve të tij të falenderimit.
|
14 | Sa për altarin prej bronzi që ishte përballë Zotit, e hoqi nga vendi i tij përballë tempullit midis altarit dhe shtëpisë të Zotit dhe e vendosi në veri të altarit.
|
15 | Pastaj mbreti Ashaz urdhëroi priftin Uria dhe i tha: "Bëj që të tymoset mbi altar olokausti i madh i mëngjesit dhe blatimi ushqimor i mbrëmjes, olokausti i mbretit dhe blatimi i tij ushqimor, olokaustet e tërë popullit të vendit dhe libacionet e tij; dhe do të spërkatë mbi to tërë gjakun e olokausteve dhe tërë gjakun e flijimeve; sa për altarin prej bronzi, do të merrem unë me të.
|
16 | Kështu prifti Uria bëri tërë ato që mbreti Ashaz i kishte urdhëruar.
|
17 | Mbreti Ashaz hoqi gjithashtu panelet nga qerret dhe enët e vogla, hoqi detin nga demat prej bronzi që e mbanin dhe e vendosi mbi një dysheme prej gurësh.
|
18 | Për shkak të mbretit të Asirisë, ai hoqi portikun e së shtunës, që kishin ndërtuar në tempull, edhe nga shtëpia e Zotit hoqi gjithashtu hyrjen e jashtme të mbretit.
|
19 | Pjesa tjetër e bëmave të kryera nga Ashazi a nuk është vallë e shkruar në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?
|
20 | Kështu Ashazin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros me ta në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ezekia.
|