| Chapter 27 |
1 | Atëherë Moisiu dhe pleqtë e Izraelit i dhanë popullit këtë urdhër: "Respektoni të gjitha urdhërimet që po ju caktoj sot.
|
2 | Ditën që do të kapërceni Jordanin për të hyrë në vendin që Zoti, Perëndia juaj, ju jep, do të ngresh për vete gurë të mëdhenj dhe do t`i lyesh me gëlqere.
|
3 | Pastaj do të shkruash mbi ta tërë fjalët e këtij ligji, kur të kapërcesh Jordanin për të hyrë në vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep, një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, ashtu si të ka thënë Zoti, Perëndia i etërve të tu.
|
4 | Kështu, pra, kur të kaloni Jordanin, do të ngrini në malin Ebal këta gurë, që sot ju urdhëroj, dhe do t`i lyeni me gëlqere.
|
5 | Aty do t`i ngresh edhe një altar Zotit, Perëndisë tënd, një altar gurësh, mbi të cilët nuk do të përdorësh vegël hekuri.
|
6 | Do të ndërtosh altarin e Zotit, Perëndisë tënd, me gurë të pacënuar, dhe mbi të do t`i ofrosh olokauste Zotit, Perëndisë tënd.
|
7 | Do të ofrosh flijime falenderimi, dhe aty do të hash dhe do të gëzohesh përpara Zotit, Perëndisë tënd.
|
8 | Dhe do të shkruash mbi këta gurë tërë fjalët e këtij ligji me gërma shumë të qarta".
|
9 | Pastaj Moisiu dhe priftërinjtë levitë i folën tërë Izraelit, duke thënë: "Mbaj qetësi dhe dëgjo, o Izrael! Sot je bërë populli i Zotit, Perëndisë tënd.
|
10 | Do t`i bindesh, pra, zërit të Zotit, Perëndisë tënd, dhe do t`i zbatosh në praktikë urdhërimet dhe ligjet që sot të urdhëroj".
|
11 | Po atë ditë Moisiu i dha këtë urdhër popullit, duke i thënë:
|
12 | "Ja ata do të rrijnë në malin Gerizim për të bekuar popullin kur të keni kapërcyer Jordanin: Simeoni, Levi, Juda, Isakari, Jozefi dhe Beniamini;
|
13 | dhe ja ata që do të rrijnë në malin Ebal për të shqiptuar mallkimin: Rubeni, Gadi, Asheri, Zabuloni, Dani dhe Neftali.
|
14 | Levitët do të flasin dhe do t`u thonë me zë të lartë gjithë burrave të Izraelit:
|
15 | "Mallkuar qoftë ai njeri që bën një shëmbëlltyrë të gdhendur o prej metali të shkrirë, gjë e neveritshme për Zotin, vepër e duarve të një artizani, dhe e vendos në një vend sekret!". Dhe tërë populli do të përgjigjet dhe do të thotë: "Amen".
|
16 | "Mallkuar qoftë ai që përçmon atin ose nënën e tij!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
|
17 | "Mallkuar qoftë ai që zhvendos kufijtë e të afërmit të tij!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
|
18 | "Mallkuar qoftë ai që i humb rrugën të verbërit!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
|
19 | "Mallkuar qoftë ai që cënon të drejtën e të huajit, të jetimit dhe të gruas së ve!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
|
20 | "Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me gruan e atit të tij,; sepse ka ngritur cepin e mbulesës së atit të tij!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
|
21 | "Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me çfarëdo kafshë!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
|
22 | "Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me motrën e tij, me bijën e atit të tij ose me bijën e nënes së tij!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
|
23 | "Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me vjehrrën e tij!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
|
24 | "Mallkuar qoftë ai që vret të afërmin e tij në mënyrë të fshehtë!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
|
25 | "Mallkuar qoftë ai që pranon një dhuratë për të goditur për vdekje një të pafajshëm!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".
|
26 | "Mallkuar qoftë ai që nuk u përmbahet fjalëve të këtij ligji për t`i zbatuar në praktikë!". Tërë populli do të thotë: "Amen".
|